
Historia jonë
Politika e BE-së për menaxhimin e mbeturinave synon të kontribuojë në ekonominë rrethore duke nxjerrë sa më shumë që të jetë e mundur burime të cilësisë së lartë nga mbeturinat. Në praktikë, modeli i ekonomisë rrethore synon të reduktojë mbeturinat në minimum dhe të promovojë ripërdorimin, riparimin, rikuperimin dhe riciklimin e materialeve dhe produkteve ekzistuese. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane synon të promovojë rritjen duke kaluar në një ekonomi moderne, konkurruese dhe efikase në burime. Si pjesë e këtij tranzicioni, disa ligje të BE-së për mbeturinat janë rishikuar.
Sistemi aktual i menaxhimit të mbeturinave në vend është i fokusuar kryesisht në grumbullimin dhe largimin e mbeturinave. Shërbimet e rregullta të grumbullimit të mbeturinave janë të kufizuara kryesisht në zonat urbane, duke siguruar mbulim deri në 90% në qytete dhe periferitë e tyre. Në përgjithësi, rreth 70% e popullsisë totale përfiton shërbime të rregullta të grumbullimit të mbeturinave, ndërsa pjesa tjetër 30%, të cilët jetojnë në vendbanime rurale larg zonave kryesore të grumbullimit, i menaxhojnë mbeturinat e tyre në mënyrë të pavarur. Aktualisht, në nivel lokal, komunat ende kanë përgjegjësi për grumbullimin e mbeturinave dhe ende përdorin kapacitetet lokale të largimin e mbeturinave.
Sistemi aktual i menaxhimit të mbeturinave në Rajonet përkatëse Lindore dhe Verilindore është i tillë që popullsia e lidhur me shërbimet e mbeturinave është 100% në zonat urbane dhe 65,1% në zonat rurale (67,2% në Rajonin Lindor dhe 63,2% në Rajonin Verilindor). Nuk ka grumbullim të ndarë të mbeturinave. Largimi i mbeturinave të papërpunuara të përziera kryhet në deponi jo standarde, për këtë arsye prodhohen sasi të konsiderueshme biogazi dhe kullim shumë të ndotur, duke shkaktuar kërcënime serioze për mjedisin jetësor.
Aktualisht, në Rajonin Lindor ka 12 deponi jo-standarde dhe në Rajonin Verilindor 5 deponi jo-standarde dhe 36 deponi të egra. Vetëm 86,3% e mbeturinave të krijuara grumbullohen nëpërmjet shërbimeve të grumbullimit të organizuar dhe nuk kryhet asnjë grumbullim veçmas. Në kuadër të Projektit për mbylljen e deponive jo-standarde dhe të egra në Rajonin Lindor dhe Verilindor, situata ka ndryshuar në mënyrë dramatike. Konkretisht, janë pastruar 71 deponi të egra në Rajonin Lindor, dhe me blerjen e pajisjeve për grumbullimin e mbeturinave (kamionë dhe kontejnerë), që është bërë në vitin 2019 për Rajonin Lindor dhe Verilindor, janë tejkaluar kapacitetet e Ndërmarrjes Publike Komunale ekzistuese.