Legjislacioni për menaxhimin e mbeturinave të ngurta
Hyrje në menaxhimin e mbeturinave
Zhvillimi i qëndrueshëm – përkufizim (definicion)
Zhvillimi i qëndrueshëm është mënyra se si duhet të jetojmë sot nëse duam një të nesërme më të mirë, duke plotësuar nevojat e së tashmes pa rrezikuar shanset e brezave të ardhshëm për t’i përmbushur nevojat e tyre. Mbijetesa e shoqërive tona dhe e planetit tonë të përbashkët varet nga një botë më e qëndrueshme.

Duket pak si një akt zhonglimi. Tre topa të ndryshëm duhet të mbahen në ajër njëkohësisht: rritja ekonomike, përfshirja sociale dhe mbrojtja e mjedisit jetësor. Nëse një ose dy topa bien në tokë, akti ka përfunduar. Një ekonomi mund të rritet me shpejtësi, për shembull - por vetëm për aq kohë sa shumica e njerëzve të mbeten të varfër dhe të gjitha resurset natyrore të konsumohen.
Aty ku zhvillimi është i qëndrueshëm, çdonjëri ka qasje në punë të denjë, kujdes shëndetësor cilësor dhe arsim. Përdorimi i resurseve natyrore shmang ndotjen dhe humbjet e përhershme të mjedisit jetësor. Zgjedhjet e politikave publike sigurojnë që askush të mos mbetet prapa për shkak të disavantazhit ose diskriminimit.
Menaxhimi i mbeturinave

Menaxhimi i mbeturinave në një mënyrë të shëndoshë ekologjike dhe përdorimi i materialeve dytësore që ato përmbajnë janë elementë kyç të politikës së mjedisit jetësor të BE-së.
Një pasqyrë e shkurtër
Politika e BE-së për mbeturinat synon të kontribuojë në ekonominë rrethore duke nxjerrë sa më shumë resurse të cilësisë së lartë nga mbeturinat. Marrëveshja e Gjelbër Evropiane synon të promovojë rritjen përmes tranzicionit në një ekonomi moderne, efikase nga resurset dhe konkurruese. Si pjesë e këtij tranzicioni, do të rishikohen disa ligje të BE-së për mbeturinat.
Direktiva Kornizë e Mbeturinave është kornizë ligjore e BE-së për trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinave në BE. Direktiva prezanton një renditje preference për menaxhimin e mbeturinave të quajtur “hierarkia e menaxhimit të mbeturinave”.
Disa kategori mbeturinash kërkojnë qasje specifike. Prandaj, përveç një kornize ligjore gjithëpërfshirëse, BE-ja ka shumë ligje për trajtimin e llojeve të ndryshme të mbeturinave.
Objektivat (qëllimet)
Politika e BE-së për mbeturinat synon të mbrojë mjedisin jetësor dhe shëndetin e njerëzve dhe të ndihmojë tranzicionin e BE-së në një ekonomi rrethore. Ajo vendos qëllime të përgjithshme dhe specifike për:
-
përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave
-
stimulimin e inovacionit në riciklim
-
kufizimi e largimit të deponive
Planet e Menaxhimit të Mbeturinave (PMM)

Planet e menaxhimit të mbeturinave luajnë një rol kyç në arritjen e menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave që përputhet me legjislacionin e BE-së për mbeturinat. Qëllimi i tyre kryesor është të ofrojnë një pasqyrë të shkurtër të të gjitha mbeturinave të gjeneruara (duke përfshirë mbeturinat e importuara dhe rrjedhat e posaçme të mbeturinave) dhe opsionet e trajtimit për këto mbeturina. Planet ofrojnë një kornizë për sa vijon:
-
Pajtueshmëria me politikën e mbeturinave dhe arritja e qëllimit
-
Vështrim mbi sasitë e mbeturinave dhe kapacitetin për t’i menaxhuar ato
-
Pasqyrë e nevojave dhe zhvillimeve të ardhshme
-
Pasqyrë e menaxhimit të mbeturinave nga paketimi
-
Pasqyrë e menaxhimit të mbeturinave të biodegradueshme
-
Informata mbi politikat e përgjithshme të menaxhimit të mbeturinave dhe masat teknologjike
Përveç kësaj, PMM-të diskutojnë dhe rregullojnë aspektet e mëposhtme:
-
Pasqyrë e organizatës së menaxhimit të mbeturinave
-
Evaluimi (vlerësimi) i politikave të mbeturinave
-
Fushata ndërgjegjësuese/sigurimi i informatave
-
Lokacionet e largimit të mbeturinave të kontaminuara
-
Pasqyrë e kërkesave ekonomike dhe investimeve
-
Programet e parandalimi i gjenerimit të mbeturinave (PPM)
Menaxhimi efektiv i mbeturinave zakonisht kërkon pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e disa palëve/autoriteteve të përfshira, dhe planifikimi koherent ndihmon në shmangien e dyfishimit të panevojshëm të përpjekjeve dhe në këtë mënyrë përfitojnë të gjithë pjesëmarrësit në punën e tyre të përbashkët. Kompleksiteti në rritje i çështjeve të menaxhimit të mbeturinave dhe standardet e përcaktuara nga direktivat e BE-së sjellin kërkesa më të rrepta në lidhje me përshtatshmërinë e impianteve të trajtimit.
Në shumë raste kjo nënkupton instalime më të mëdha dhe më komplekse për trajtimin e mbeturinave, çka nënkupton bashkëpunimin e disa njësive rajonale në ngritjen dhe funksionimin e impianteve.
Vlerësimi Strategjik i Mjedisit Jetësor (VSMJ)

Vlerësimi strategjik i mjedisit jetësor (VSMJ) është një proces sistematik i mbështetjes së vendimeve, qëllimi i të cilit është të sigurojë që aspektet e mjedisit jetësor dhe ndoshta aspekte të tjera të qëndrueshmërisë të merren parasysh në mënyrë efektive në krijimin e politikave, planeve dhe programeve. Në këtë kontekst, VSMJ mund të shihet si:
-
një proces i strukturuar, rigoroz, participativ, i hapur dhe transparent i bazuar në vlerësimin e ndikimit në mjedisin jetësor (VNMJ), i cili zbatohet veçanërisht për planet dhe programet e përgatitura nga autoritetet publike të planifikimit dhe nganjëherë organet private,
-
një proces participativ, i hapur dhe transparent, ndoshta jo i bazuar në VNMJ, i aplikuar në një mënyrë më fleksibël ndaj politikave të përgatitura nga autoritetet publike të planifikimit dhe ndonjëherë nga organet private, ose
-
një proces fleksibël jo i bazuar në VNMJ, i aplikuar për propozimet legjislative dhe politikat, planet dhe programet e tjera në vendimmarrjen politike/kabineti.
Një VSMJ efektiv funksionon brenda një kornize vendimmarrëse të strukturuar dhe të degëzuar, me synimin për të mbështetur një vendimmarrje më efektive dhe efikase për zhvillim të qëndrueshëm dhe qeverisje të përmirësuar, duke ofruar fokus thelbësor në çështjet, problemet dhe alternativat që duhet të merren parasysh gjatë bërjes së politikës, planit dhe programit (PPP). VSMJ është një instrument i bazuar në dëshmi që synon të shtojë rigorozitetin shkencor në bërjen e PPP, duke përdorur metoda dhe teknika të përshtatshme vlerësimi.
VSMJ është një procedurë vlerësimi e zbatuar ligjërisht e kërkuar nga Direktiva 2001/42/EC (e njohur si Direktiva e VSMJ-së). Direktiva e VSMJ-së synon të prezantojë një vlerësim sistematik të efekteve mjedisore të planeve dhe programeve që lidhen me përdorimin strategjik të tokës. Zakonisht i referohet zhvillimit rajonal dhe lokal, planeve të mbeturinave dhe transportit brenda Bashkimit Evropian. Disa plane, të tilla si planet financiare dhe buxhetore ose planet e mbrojtjes civile janë të përjashtuara nga Direktiva e VSMJ-së. Ajo gjithashtu zbatohet vetëm për planet e kërkuara nga ligji, i cili në mënyrë interesante përjashton planet dhe programet e qeverisë kombëtare, pasi planet e tyre janë “vullnetare”, ndërsa autoriteteve lokale dhe rajonale zakonisht u kërkohet të përgatisin të tyren.